Prishtinë, 8 shkurt – Të arriturat në fushën e trashëgimisë kulturore si dhe projektet për këtë vit kanë qenë temë diskutimi në takimin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi me sekretaren e organizatës suedeze, CHWB (Cultural Heritage Without Borders), znj. Margaret Husen.
Ministri Krasniqi e njoftoi znj.Husen me gjendjen në trashëgimi si dhe me projektet e realizuara deri tash. Ai tha se trashëgimia është në listën e top prioriteteve të tij për këtë mandat, dhe shtoi se pritet që të ketë hapa pozitiv në këtë drejtim. Bashkëpunimi mes MKRS-së dhe CHWB-së, tha ministri Krasniqi, ka qenë mjaftë i mirë, dhe shprehi gatishmërinë që ky bashkëpunim të rritet.
Ndërkaq, sekretarja e CHWB-së, znj. Margaret Husen vlerësoi se ka parë zhvillime pozitive në drejtim të ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore. Ajo tha se CHWB-ja është e interesuar që të japë kontributin e vet në këtë drejtim, duke bashkëpunuar ngushtë me MKRS-në.