Heritage Space ofron hapësirë për artistë dhe profesionistë të cilët veprojnë në fushën e kulturës, industrisë kreative dhe shkencave humanistike digjitale, për të punuar në ruajtjen e trashëgimisë kulturore nëpërmjet hulumtimit, dokumentimit dhe interpretimit.
Rreth Platformës Heritage Space
Heritage Space u inicua në vitin 2016 nga CHwB Kosova, me qëllim inkurajimin e artistëve, studiuesve dhe profesionistëve tjerë që veprojnë në fushën e kulturës, industrisë kreative dhe shkencave humanistike digjitale, për të ruajtur trashëgiminë kulturore përmes hulumtimit dhe dokumentimit, duke krijuar kështu punime që paraqesin aspekte të reja të trashëgimisë, të cilat ndërlidhen me perspektiva bashkëkohore.
Heritage Space inkurajon qasje ndërdisiplinore në fushën e trashëgimisë kulturore, siç janë hulumtimi në formë të shkruar, arti bashkëkohor, filmbërja, rrëfimi përmes platformës digjitale, dokumentimi dhe format tjera me rëndësi që arrijnë të ndërveprojnë me publikun e gjerë kuptimisht, përmes edukimit dhe vetëdijësimit. Për më tepër, Heritage Space inkurajon shoqërinë dhe komunitetet e ndryshme të ndërlidhen me të kaluarën historike dhe trashëgiminë kulturore, përtej formave tradicionale.
CHwB Kosova ka krijuar një platformë e cila lidhë trashëgiminë kulturore me aspekte e praktika të ndryshme shoqërore përmes qasjeve inovative, duke u shmangur qëllimisht nga koncepti i njohur i Diskursit të Trashëgimisë së Autorizuar (Authorised Heritage Discourse). Në këtë mënyrë, ne ofrojmë hapësirë për të rinjtë kreativ, që të punojnë me komunitete lokale dhe pjesëtarë tjerë të shoqërisë, duke vënë kështu në dukje historitë e tyre, trashëgimia e të cilave ka formësuar identitetin e shoqërisë multikulturore të Kosovës.