Punëtoria e parë e KAH DRITA III u përmbyll me fokus në inteligjencën artificiale.
E udhëhequr nga Klest Drançolli nga Madverse Kosova, punëtoria mblodhi nxënës të shkollave të mesme nga Juniku për një sesion me temën “Makina kundër njeriut: Kur duhet përdorur AI?”
Gjatë punëtorisë u trajtuan aspekte të ndryshme të inteligjencës artificiale në jetën e përditshme, nga roli i saj në arsim dhe komunikim, deri te ndikimi në rritje në proceset e vendimmarrjes. U diskutuan shembuj konkretë, si përdorimi i AI për shkrimin e eseve shkollore, përkthime të shpejta të teksteve, kërkime online, si dhe teknologji si njohja e fytyrës në pajisjet mobile.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit u fokusua edhe në kufijtë e përdorimit të AI, duke theksuar situatat kur teknologjia mund të shërbejë si mjet ndihmës, por nuk duhet të zëvendësojë gjykimin njerëzor, sidomos në vendimmarrje etike dhe sociale.
Përmes pyetjeve të hapura dhe dialogut, nxënësit ndanë mendimet e tyre dhe reflektuan mbi mënyrën se si AI tashmë po e formëson, dhe do të vazhdojë ta formësojë, të ardhmen e tyre.








