Javën e kaluar u zyrtarizua projekti i parë ndërkufitar mes Kosovës dhe Ulqinit, i cili po zbatohet në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA CBC Mali i Zi–Kosovë 2021–2027, i financuar nga Bashkimi Evropian.
Projekti “S.T.E.P. in Community Museums” bashkon CHwB Kosovën, Komunën e Ulqinit dhe Komunën e Junikut rreth një qëllimi të përbashkët: forcimin e rolit të muzeve të komunitetit dhe krijimin e mundësive të reja për shkëmbim kulturor dhe bashkëpunim ndërkufitar.
Projekti do të mbështesë avancimin e Muzeut Etnografik në Kalanë e Ulqinit dhe krijimin e një Muzeu të Komunitetit në Junik, duke kontribuar në ruajtjen, interpretimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore lokale, si dhe në forcimin e lidhjeve kulturore mes Kosovës dhe Malit të Zi.
Projekti u zyrtarizua në muret historike të Kalasë së Ulqinit, ku u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit mes CHwB Kosovës dhe Komunës së Ulqinit. Me këtë rast, Menaxheri i Projektit, Alban Morina, prezantoi objektivat e projektit, aktivitetet e planifikuara dhe rezultatet e pritshme.
Në ceremoninë e zyrtarizimit morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore, përfshirë Kryetarin e Komunës së Junikut, Kryetarin e Komunës së Ulqinit, Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian, përfaqësues të Muzeut të Qytetit të Ulqinit, si dhe zyrtarë komunalë dhe përfaqësues të tjerë institucionalë.
Ky projekt shënon një tjetër hap drejt forcimit të bashkëpunimit mes komuniteteve në Kosovë dhe Ulqin, përmes kulturës, trashëgimisë dhe përvojave të përbashkëta lokale.
Kjo iniciativë është zhvilluar nga CHwB Kosova dhe Komuna e Ulqinit në kuadër të projektit “S.T.E.P. in Community Museums”, me mbështetjen e Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA Mali i Zi–Kosovë.


