Adea Mekuli është menaxhere e lartë projektesh dhe profesioniste në zhvillim urban me mbi një dekadë përvojë në zhvillim strategjik, planifikim hapësinor dhe trashëgimi kulturore, duke punuar në nivele kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare. Aktualisht, ajo është Menaxhere e Programit për Planifikim të Integruar dhe Analizë, ku udhëheq dizajnimin dhe zbatimin e Distrikteve Kulturore në Nivel Sistemi, si një model afatgjatë dhe i bazuar në evidencë për zhvillimin rajonal në Kosovë.
Puna e saj përqendrohet në planifikimin strategjik territorial dhe integrimin e kulturës dhe kreativitetit në kornizat e zhvillimit ekonomik lokal. Ajo ka udhëhequr krijimin e mekanizmave të bashkëpunimit rajonal në Kosovë, duke forcuar koordinimin ndërmjet komunave, institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile dhe komuniteteve lokale. Adea është gjithashtu përgjegjëse për zhvillimin e platformës shumëdisiplinore të të dhënave të organizatës, një sistem digjital që mbështet dokumentimin, analizën dhe përdorimin strategjik të të dhënave, përfshirë asetet e trashëgimisë kulturore.
Adea është ish-bursiste e programit Hubert H. Humphrey në Massachusetts Institute of Technology (MIT), në Departamentin e Studimeve Urbane dhe Planifikimit, dhe mban titullin Master i Shkencave në Inxhinieri Arkitektonike: Dizajn Mjedisor nga University of Bath. Ndër të tjera, ajo është e certifikuar si PRINCE2 Practitioner në menaxhimin e projekteve dhe ka certifikim në Project Cycle Management nga Organizata Ndërkombëtare e Punës.
Përveç punës së saj profesionale, ajo është thellësisht e përkushtuar ndaj mbrojtjes së mjedisit, natyrës dhe kafshëve.