Besart Dajçi

Arkitekt
Besart Dajçi është arkitekt me mbi 18 vite përvojë profesionale në fushën e ruajtjes së trashëgimisë kulturore, restaurimit arkitektonik dhe adaptimit funksional të ndërtesave historike. Ka përfunduar studimet bachelor në Arkitekturë në Fakultetin e Arkitekturës, Universiteti i Prishtinës, si dhe studimet master në Efiçiencë të Energjisë në Arkitekturë (2025). Formimi i tij profesional përfshin një sërë trajnimesh kombëtare dhe evropiane në metodologjitë e konservimit, teknikat e restaurimit, adaptimin e objekteve ekzistuese dhe menaxhimin e trashëgimisë kulturore përmes sistemeve GIS.

Që nga viti 2007, është i angazhuar në mënyrë të vazhdueshme në organizatën Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB) Kosovë, ku ka ushtruar role profesionale me përgjegjësi, si arkitekt, mbikëqyrës punimesh, udhëheqës ekipi dhe asistent i menaxherit të projekteve restauruese. Ky angazhim afatgjatë pasqyron përvojë të konsoliduar në planifikimin, menaxhimin dhe zbatimin e projekteve komplekse të restaurimit dhe konservimit.

Veprimtaria e tij profesionale përfshin tërë procesin e projekteve arkitektonike, duke filluar nga rilevimi dhe dokumentimi i monumenteve, hartimi i projekteve të restaurimit dhe konservimit, hartëzimi kulturor përmes GIS, deri te mbikëqyrja e punimeve në terren.

Ka qenë i përfshirë në projekte të shumta të financuara nga Bashkimi Evropian, UNDP, SIDA dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara. Përvoja e tij profesionale përfshin monumente të rëndësishme si Kalaja e Prizrenit, Muzeu i Hidrocentralit të Prizrenit, Ura e Terzive në Gjakovë, Kalaja dhe Hamami në Vushtrri, si dhe një numër të madh shtëpish tradicionale të banimit dhe Kulla në mbarë Kosovën. Vitet e fundit, fokusi i punës së tij është zgjeruar drejt ruajtjes digjitale të trashëgimisë, duke integruar fotogrametrinë, skanimin me lazer dhe dokumentimin 3D me dron, në përputhje me parimet tradicionale të konservimit, për qëllime të dokumentimit afatgjatë dhe menaxhimit të qëndrueshëm të trashëgimisë arkitektonike.