Punëtoria dyditore për hartimin e Planit të Konservimit për Ulpiana – Iustiniana Secunda ka filluar sot, duke mbledhur përfaqësues të institucioneve dhe profesionistë nga fusha e trashëgimisë kulturore, planifikimit hapësinor, turizmit dhe zhvillimit lokal.
Në fjalën hyrëse, Drejtori i CHwB Kosova, Sali Shoshi, theksoi rëndësinë e këtij procesi për krijimin e një qasjeje të qëndrueshme dhe afatgjatë në menaxhimin e lokalitetit. Në vijim, zv. ministrja e Ministria e Kulturës dhe Turizmit Nora Arapi, u ndal te rëndësia institucionale dhe kulturore e Ulpianës, ndërsa Drejtoresha e Instituti Arkeologjik i Kosovës, Zana Rama, theksoi dimensionin shkencor dhe potencialin kërkimor të këtij lokaliteti. Nënkryetari i Graçanicës, Leutrim Ajeti, vuri në pah rëndësinë shpirtërore dhe lidhjen e komunitetit me parkun arkeologjik.
Gjatë pjesës në terren, pjesëmarrësit u njohën më nga afër me lokalitetin përmes prezantimeve të menaxherit të parkut, Milot Berisha, dhe konservatorit në IAK, Caner Tatar, të cilët prezantuan vlerat kryesore dhe sfidat me të cilat përballet Ulpiana, të shoqëruar edhe nga cicëronët e parkut.
Në vijim, punëtoria u zhvendos në sesione diskutimi dhe prezantimesh profesionale. Arkitektet e CHwB Kosova, Arbenita Gashi-Kurti dhe Erza Shala, prezantuan temën “Konservimi dhe zhvillimi i lokalitetit arkeologjik në Dresnik”, duke ndarë përvojën konkrete të organizatës dhe duke ofruar shembuj të suksesshëm ndërkombëtarë në menaxhimin e lokaliteteve arkeologjike.
Ky proces zhvillohet në partneritet me Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe synon krijimin e një kornize gjithëpërfshirëse për ruajtjen, menaxhimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Ulpiana.
Punëtoria, e cila do të zgjasë dy ditë, është e mbyllur për publikun dhe përfshin institucione dhe akterë nga fusha të ndryshme, me qëllim identifikimin e vlerave kryesore dhe adresimin e çështjeve që lidhen me të ardhmen e këtij lokaliteti me rëndësi të veçantë për trashëgiminë kulturore.



