Në kuadër të KAH DRITA III, u shfaq filmi “Stina e Stanit”, i ndjekur nga një diskutim me regjisorët Clirimtare Januzaj dhe Urtese Zeneli.
“Stina e Stanit” është një film etnografik që fokusohet në mbijetesën e blegtorisë sezonale dhe praktikave të transhumancës në bjeshkët e Isniqit (Milishevc). Përmes një angazhimi të drejtpërdrejtë, antropologet Çlirimtare Januzaj dhe Urtese Zeneli mbledhin material etnografik dhe e paraqesin bjeshkën si një hapësirë të shenjtë kujtese — një vend lidhjesh shpirtërore, trashëgimie familjare dhe identiteti kolektiv.
Filmi ndjek një familje përgjatë ciklit sezonal, nga ngjitja në bjeshkë deri te zbritja në fund të verës. Megjithatë, kjo mënyrë jetese po ndryshon. Tradita vazhdon të ekzistojë, por në mënyrë gjithnjë e më të brishtë. Teksa kthehen në qytet, mbetet një pyetje pezull: a do të shkelet sërish kjo rrugë në të ardhmen, ashtu siç është bërë për breza me radhë?
Diskutimi u zhvillua para një publiku që është i njohur dhe i lidhur drejtpërdrejt me praktikën e transhumancës, duke e njohur nga afër jetën në bjeshkë dhe ciklin e saj sezonal. Kjo afërsi me temën e filmit e bëri bisedën veçanërisht të natyrshme dhe të bazuar në përvojë, duke sjellë reflektime që lidhen drejtpërdrejt me realitetin e zonës, kujtesën e jetës në bjeshkë dhe mënyrën se si kjo traditë vazhdon të mbijetojë edhe sot.

















