Gresa Kelmendi

Arkitekte
Gresa Kelmendi ka përfunduar studimet master në Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës. Që nga viti 2021 punon si arkitekte në organizatën CHwB Kosova. Puna e saj fokusohet kryesisht në dokumentimin digjital të trashëgimisë kulturore, ndërsa aktualisht udhëheq trajnime për dokumentim digjital në kuadër të programit për ngritjen e kapaciteteve profesionale në këtë fushë.

Ajo ka qenë e angazhuar në projekte të ndryshme të dokumentimit dhe konservimit të trashëgimisë, përfshirë projektin “Konzervimi dhe Zhvillimi i Lokalitetit Arkeologjik në Dresnik”, ku ka kontribuar në zhvillimin e master planit të lokalitetit. Gjithashtu, ka qenë pjesë e ekipit punues në projektin për rivitalizimin ekonomik të Janjevës dhe në projekte që synojnë promovimin e dialogut ndërkomunitar përmes ruajtjes së monumenteve kulturore në komuna të ndryshme të Kosovës, duke punuar në dokumentimin dhe hartimin e projekteve të restaurimit.

Gresa është përfituese e CyArk Heritage Documentation Training Grant Program, ku ka përfunduar trajnim të avancuar në fotogrametri, si dhe ka marrë pjesë në Digital Heritage Camp në Itali, të organizuar nga E-RIHS.it dhe CNR, duke avancuar më tej ekspertizën e saj në dokumentimin digjital të trashëgimisë kulturore.