Ndjeshmëria për vlerat e trashëgimisë së paluajtshme ndërtimore në hapësirat europiane dhe më gjerë, është dukuri e shfaqur rreth fillimit të shek. XIX. Kryesisht atë e ndeshim në Francë, Angli dhe Itali. Ecuria e kristalizimit të parimeve të vlerësimit të kësaj pasurie unikale, në rrafsh mbarëbotëror, pati ecuri rreth 150 vjeçare. Kryesisht pas Luftës së Dytë Botërore, në hapësirat perëndimore europiane shkallërisht, por krahasimisht shpejt, u formësuan parimet e vlerësimit të monumenteve, pra edhe të Qendrave historike, Dokumenti i parë ndërkombëtar, i cili trajton thuajse mbarë problematikën e monumenteve në kuptimin e gjerë të termit është karta e Athinës e vitit 1931. Është rasti për të theksuar se arritja, krahasimisht shpejt, e mendësisë së trajtimit të njësuar të kritereve të vlerësimit të trashëgimisë së kulturës ndërtimore, është pasqyrimi i drejtpërdrejtë i së vërtetës mbi njësinë e treguesve thelbësorë të kësaj trashëgimie.
Për pasojë, mes të tjerash, mund të pohohet që në krye, se dallimet etniko-rajonale, gjithë duke qenë të pranishme, janë dytësore, në përqasje me njësinë e këtyre krijimeve, e cila është parësore. Ndër aktet metodiko-normative më të rëndësishme të përpjekjeve të arritura për kodifikim të kritereve vlerësues të monumenteve, përmendim: “Karta Ndërkombëtare e Konservimit dhe Restaurimit të Monumenteve dhe Siteve” e vitit 1964, e cila tashmë emërtohet Karta e Venecias, si dhe “Dokumenti i Naras mbi Autenticitetin”,, i vitit 1995. Krahas, një
sërë udhëzimesh, rekomandimesh dhe konventash, synojnë të njësojnë vlerësimin e monumenteve, si dëshmi të pazëvendësueshme historiko-kulturore në hapësirë dhe kohë.
Konspekt i ligjeratave për menaxhimin e trashëgimisë – Ekstrakt nga kurset e trajnimet të Beledijes


