CHwB Kosova takohet me Ministren për të avancuar përpjekjet për digjitalizimin e muzeve

Sot, ekipi i CHwB Kosova, i udhëhequr nga drejtori Sali Shoshi, së bashku me Menaxheren e Programeve, Adea Mekuli dhe udhëheqësen e projektit, Erinë Mulolli, zhvilloi një takim me Ministren e Kulturës, Saranda Bogujevci. Ky takim u realizua në kuadër të pranisë së ekspertëve nga Ukraina, Nataliia Dziubenko dhe Vitaly Hrabar, të cilët janë të specializuar në digjitalizimin dhe dokumentimin e trashëgimisë kulturore dhe po kontribuojnë në programin që po zbaton CHwB Kosova.

Gjatë takimit, CHwB Kosova prezantoi punën që po zhvillon në kuadër të trajnimit për digjitalizimin dhe dokumentimin e koleksioneve muzeore, i cili po mbahet këtë javë në Muzeun e Mitrovicës. Përmes këtij programi, organizata po punon drejtpërdrejt me stafin e muzeve në Kosovë, duke ndërtuar kapacitete profesionale për përdorimin e teknologjive 2D dhe 3D në ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Palët shkëmbyen përvoja dhe ide mbi ecurinë e trajnimit, si dhe diskutuan për rëndësinë e digjitalizimit si një mjet i qëndrueshëm për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore. Prania e ekspertëve ndërkombëtarë u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për shkëmbim profesional dhe avancim të praktikave në këtë fushë.

Ky program po realizohet nga CHwB Kosova në bashkëpunim me ekspertë të Ukrainian Heritage Monitoring Lab (HeMo), me mbështetjen e Cultural Emergency Response (CER) nga Holanda dhe Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit. Trajnimi ka nisur më 14 prill në format online dhe po vazhdon nga 20 deri më 24 prill me pjesën praktike në Muzeun e Mitrovicës.

Latest Posts