Rajmonda Jetullahu

Arkitekte
Rajmonda Jetullahu është arkitekte e fokusuar në dokumentimin, menaxhimin dhe prezantimin digjital të trashëgimisë kulturore. Që nga viti 2021, ajo është pjesë e ekipit të Fondacionit Kosovar Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB Kosova). Studimet Bachelor dhe Master i ka përfunduar në Arkitekturë në Universitetin e Prishtinës, ndërsa në vitin 2025 është licencuar në Kategorinë A si Master i Shkencave Teknike – Arkitekturë.

Puna e saj përqendrohet në zhvillimin, strukturimin dhe administrimin e databazës për trashëgiminë kulturore, duke përdorur GIS për hartëzim, analizë dhe menaxhim të të dhënave të mbledhura në terren. Ajo posedon njohuri në përdorimin e mjeteve të avancuara të dokumentimit dhe të programeve për përpunimin e modeleve 3D përmes fotogrametrisë, të cilat i aplikon si pjesë e qasjeve bashkëkohore të dokumentimit digjital.

Ajo ka përvojë profesionale në dokumentimin, konservimin dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore, me fokus në projekte që lidhin ruajtjen e trashëgimisë me zhvillimin shoqëror dhe ekonomik. Ka qenë e angazhuar në Pejë dhe Gjakovë në kuadër të projektit “Trashëgimia kulturore si nxitëse e dialogut ndërkomunitar dhe kohezionit shoqëror”, si dhe në Janjevë në projektin “Trashëgimia kulturore si nxitëse e ringjalljes ekonomike në Janjevë”.

Në fushën e restaurimit dhe konservimit arkitektonik, ajo ka kontribuar si arkitekte në projektin e konservimit të Lokalitetit Arkeologjik në Dresnik, si dhe në projektin e revitalizimit të hapësirës së gërmadhave në oborrin e Komunës së Kaçanikut.

Qasja e saj profesionale synon dokumentimin e saktë dhe të strukturuar të trashëgimisë kulturore, si dhe prezantimin e saj përmes formateve digjitale bashkëkohore, duke e bërë atë më të qasshme dhe më të kuptueshme për publikun, profesionistët dhe vendimmarrësit.