Tour de Culture – Peja, Isniq, Deçan, Junik dhe Gjakovë

Culture Tour 2008 është një tur çiklizmi rekreativ nga Peja deri në Gjakovë, përmes Isniqit, Deçanit dhe Junikut. Gjatë rrugës, turi do të ndalet për eksplorim dhe pushim në disa lokalitete të trashëgimisë kulturore (mos harroni aparatet fotografike). Ndërkohë, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të shijojnë natyrën dhe peizazhet e bukura të rajonit të Dukagjinit.

Culture Tour shmang rrugët kryesore dhe udhëhiqet nga staf i kualifikuar. Ky është një tur rekreativ, i përshtatshëm për shumicën e grave dhe burrave të të gjitha moshave, me një biçikletë të zakonshme dhe të sigurt për përdorim të përditshëm. Nëse dëshironi të përdorni një formë tjetër transporti jo-motorik (vrapim, patinazh, kalërim me kuaj, etj.), jeni të lirë ta bëni këtë, qoftë për një pjesë apo për të gjithë itinerarin. Nëse keni ndonjë vështirësi në lëvizje, ju lutemi na informoni dhe do të mundohemi të gjejmë një zgjidhje.

Turi nis nga stacioni i trenit në Pejë në ora 09:30, me një xhiro ngrohëse nëpër qytet. Ndalesa për pije freskuese në Deçan është planifikuar rreth orës 11:30, ndërsa dreka në Junik rreth orës 13:30. Mbërritja në Gjakovë është planifikuar për rreth orës 16:30. Gjatësia e gjithë itinerarit është 55 km. Autobusë të organizuar do t’i kthejnë pjesëmarrësit dhe biçikletat në Pejë rreth orës 18:00.

Tour de Culture – Peja, Isniq, Deçan, Junik dhe Gjakovë

Latest Posts