Trashëgimia e Prishtinës

Fondacioni suedez „Trashëgimia Kulturore pa Kufij“, ka mundësuar botimin e këtij publikimi për të vetmën arsye: që të mobilizohemi për të shpëtuar diçka nga kujtesa për këtë qytet, i cili u “shortua” dhe u eksperimentua disa herë, për të cilin njëri nga autorët në këtë publikim në mes të tjerave thotë: “Prishtinës i është sulmuar shpirti”.

Kemi përzgjedhur tre autorë për të parë tri këndvështrime të ndryshme. Nuk është aspak çudi se të gjithë kanë prekur të njëjtën çështje: SHPËTIMIN e kujtesës për këtë qytet. Dhe besoj, të gjithë pajtohen se nuk ka alternativë tjetër për të cilën mund të debatojmë. Prishtina si vendbanimi që përmendet nga shekulli XIII-të, qendër tregtare e shekullit XVIII-të dhe kryeqyteti i Kosovës, është në rrezik të zhbërjes së historisë së vet, çfarëdo qoftë ajo. Titulli simbolik PRISH-TI-NA i njërit prej shkrimeve është metafora më e qëlluar për të thënë se të gjithë janë ngritur kundër këtij qyteti. Dominimi i një kohe mbi tjetrën, jotoleranca ndaj diversitetit kulturor dhe shoqëror, u bënë shkaqe për të fshirë, korrigjuar, ndërprerë (rasti i Divannjollit) dhe tharë inde e qeliza urbane.

Sot, në realitetin e ri, shpjegon Dr Kristina Kohlert, ekziston një garë mbarë europiane për renovim pozitiv që ka për qëllim të promovojë zgjidhjet inovative për të zgjidhur problemet e bashkëjetesës së kohërave. Për këtë arsye, kjo është çështje dhe pyetje universale: “ Si mund të bashkëjetojnë e reja dhe ajo pak çka na mbeti nga kultura e këtij qyteti?” Mbase rasti më i mirë për të dhënë përgjigje është debati për ndërtesën e Unionit. Ky monument do të mund të jetë vërtetë union i të ardhmes dhe të kaluarës së Prishtinës. Dhe ndoshta, pak nga pak, kjo frymë e re e shpëtimit do të mund të zgjerohet në tërë zonën historike të Prishtinës, që ende ekziston e plotë vetëm në memorien e njerëzve të këtij qyteti.

Trashëgimia e Prishtinës

Latest Posts