Arbenita Gashi-Kurti

Arkitekte
Arbenita Gashi Kurti është arkitekte me mbi dhjetë vite përvojë dhe mban titullin Master i Shkencave në Arkitekturë nga Universiteti i Prishtinës. Ajo është pjesë e organizatës Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB) që nga viti 2015, duke kontribuar në dokumentim, dizajn arkitektonik dhe mbikëqyrje të aseteve të trashëgimisë kulturore.

Gjatë viteve 2026–2027, CHwB Kosova do të zbatojë projektin “Plani i Konservimit i Lokalitetit Arkeologjik Ulpiana – Iustiniana Secunda”, në kuadër të të cilit Arbenita do të udhëheqë dhe kontribuojë në organizimin e punëtorive, përpilimin e programit arkitektonik dhe konceptimin e masterplanit. Më parë, ajo ka qenë pjesë e projektit “Konservimi dhe Zhvillimi i Lokalitetit Arkeologjik në Dresnik”, ku është angazhuar në dokumentimin digjital të lokalitetit, zhvillimin e masterplanit, dizajnin e Qendrës së Vizitorëve, strukturën mbrojtëse për mozaikët romakë dhe infrastrukturën për vizitorë.

Përvoja e saj profesionale përfshin realizimin e projekteve të konservimit dhe ripërdorimit adaptiv në kuadër të programeve të financuara nga Bashkimi Evropian. Gjithashtu, për tre vite radhazi, ajo ka udhëhequr programin Heritage Space, një platformë ndërdisiplinore për zhvillimin e ideve kreative në fushën e trashëgimisë kulturore, përmes së cilës janë realizuar 21 projekte.

Arbenita ka punuar gjithashtu në studion e arkitekturës Baubüro in situ në Bazel, Zvicër, një kompani e fokusuar në arkitekturën e qëndrueshme dhe ripërdorimin adaptiv. Qasja e saj bazohet në ndërhyrje minimale, reversibilitet dhe qëndrueshmëri, duke respektuar vlerat kulturore, sociale dhe historike.