Edicioni i tretë i festivalit KAH DRITA do të mbahet më 4 dhe 7 korrik në Junik, duke sjellë një program të pasur aktivitetesh që ndërthurin trashëgiminë kulturore, artin, edukimin dhe përvojat në natyrë.
Nën temën e këtij viti, transhumanca, tradita shekullore e lëvizjes sezonale të blegtorëve dhe bagëtive drejt bjeshkëve, festivali synon të rikthejë vëmendjen te një mënyrë jetese që ka formësuar identitetin kulturor të rajonit për breza me radhë.
Aktivitetet nisin më 4 korrik në Valavicë me punëtori edukative për inteligjencën artificiale dhe për fëmijë, ndërsa gjatë ditës do të shfaqet filmi dokumentar “Stina e Stanit”, i cili trajton jetën në bjeshkë dhe traditat që vazhdojnë të ruhen edhe sot. Pas filmit do të mbahet një bisedë me autoret e tij.
Në mbrëmje do të bëhet hapja zyrtare e festivalit dhe përurimi i Ballkonit Panoramik në Gjocaj, një hapësirë e re që ofron pamje të veçanta të peizazhit të Dukagjinit. Programi artistik do të vazhdojë me performancat muzikore të Dukagjin Muhaxheri Quartet dhe Peppa Marriti Band.
Më 7 korrik, festivali do t’u ofrojë pjesëmarrësve mundësinë të përjetojnë nga afër jetën në bjeshkë përmes një vizite në stanin e familjes Krasniqi në Bjeshkët e Junikut. Vizitorët do të njihen me traditat e blegtorisë, procesin e përgatitjes së produkteve tradicionale të qumështit dhe mënyrën e jetesës që ende ruhet në këto zona malore.
Dita do të vazhdojë me një drekë tradicionale dhe interpretim të këngëve të bjeshkës nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve nga Deçani, duke sjellë një përvojë autentike që lidh kulturën, natyrën dhe trashëgiminë shpirtërore të rajonit.


