Merita ka diplomuar në vitin 2008 në Fakultetin e Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës. Ajo ka mbi 15 vite përvojë pune dhe gjatë kësaj kohe është angazhuar në një numër të madh projektesh si arkitekte, hulumtuese, menaxhere dhe mbikëqyrëse, me theks të veçantë në fushën e trashëgimisë kulturore.
Me organizatën CHwB Kosova është e angazhuar që nga viti 2004, kur ishte ende në studime. Që nga ajo kohë, ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore, si dhe e vlerave historike, kanë qenë ndër prioritetet kryesore të punës së saj profesionale.
Në vitin 2024 është licencuar në kategorinë A1 në fushën e trashëgimisë kulturore.
Për vite me radhë ka qenë e angazhuar si arkitekte dhe mbikëqyrëse në mbi 30 projekte të realizuara për konservimin dhe adaptimin e aseteve të trashëgimisë kulturore, përfshirë edhe projekte të UNDP-së të financuara nga Bashkimi Evropian. Gjithashtu ka qenë e angazhuar si hulumtuese dhe bashkautore e serisë së librave “Qytetet e Humbura”.
Më herët ka qenë pjesë e ekipit hartues të projektit “Konzervimi dhe Zhvillimi i Lokalitetit Arkeologjik në Dresnik”, i cili ka përfshirë dokumentimin digjital të lokalitetit, dizajnimin e infrastrukturës për vizitorë dhe ndërhyrje konservuese.
Aktualisht është e angazhuar në hartimin e projektit “Plani i Konservimit i Lokalitetit Arkeologjik Ulpiana–Iustiniana Secunda” (2026–2027), i cili përfshin organizimin e punëtorive, përpilimin e programit arkitektonik dhe hartimin e projektit zbatues.