Edicioni i tretë i festivalit KAH DRITA nis zyrtarisht nesër, më 4 korrik, në peizazhin e veçantë kulturor të Junikut, duke sjellë një program të larmishëm që ndërthur muzikën, trashëgiminë kulturore, natyrën dhe komunitetin. Tema e këtij viti i kushtohet transhumancës, duke vënë në qendër lëvizjen shekullore sezonale të barinjve dhe bagëtive, si dhe rëndësinë e saj kulturore dhe traditat e gjalla që vazhdojnë të ruhen edhe sot.
Festivali do të hapet në ora 18:00 me ceremoninë e përurimit të Ballkonit Panoramik në Gjoçaj, e cila do të pasohet nga ceremonia zyrtare e hapjes së KAH DRITA III.
Mbrëmja do të vazhdojë me koncertin e Dukagjin Muhaxheri Quartet dhe grupit arbëresh nga Italia Peppa Marriti Band, të cilët përmes muzikës do të kremtojnë lidhjet kulturore që bashkojnë komunitetet përtej kufijve.
Më 7 korrik, pjesëmarrësit do të marrin pjesë në një udhëtim njëditor drejt Stanit të familjes Krasniqi në Bjeshkët e Junikut, ku do të kenë mundësinë të përjetojnë nga afër traditën e transhumancës dhe të eksplorojnë peizazhin e pasur kulturor të kësaj zone.
Përmes koncerteve, përvojave kulturore dhe aktiviteteve komunitare, KAH DRITA III feston trashëgiminë e gjallë të Junikut dhe i fton vizitorët të zbulojnë historitë, traditat dhe peizazhet që vazhdojnë t’i japin formë këtij rajoni të veçantë.


