Komunat e Kosovës sot po përballen me vështirësi të mëdha në shfrytëzimin e trashëgimisë kulturore për përfitime të komunitetit, ndërkohë që rreziku i shkatërrimit të mëtejshëm të trashëgimisë kulturore mbetet i lartë. Një shkak shpjegues i kësaj gjendjeje, i cili tashmë vërehet, është niveli i pamjaftueshëm i dialogut ndërmjet komunave dhe institucioneve qendrore, si dhe ndërmjet institucioneve dhe komunitetit.
Për më tepër, buxheti i ndarë për trashëgiminë kulturore dhe natyrore në nivel komunal ka rezultuar i pamjaftueshëm. Përfshirja e trashëgimisë kulturore në planifikimin hapësinor dhe urban në shumicën e rasteve mbetet vetëm formale, ndërsa nevoja për një qasje strategjike dhe për përcaktimin e prioriteteve të përpjekjeve, qoftë në nivel lokal apo qendror, apo në fushën e OJQ-ve dhe shoqërisë civile, është urgjente.


